O Zot, Ty që të nënshtrohen fytyra dhe raca
Ty që ke nënshtruar gjallesa e masa
Ballin tim për Ty e vë në tokë
Ti e meriton e askush tjetër në këto botë.
Duart e mia drejt teje zgjaten
Me ankth e përmallim
O Zoti im !
Mirësitë e tua kërkoj
Unë jam ai që Ti më njeh më mirë
Gjynahembyturi tek Ti kërkoj mëshirë.
Eh sa kohë kam kaluar
Larg Teje duke e tepruar.
Si djalë, Netët e gjata i torturoja,
i pagjumë i sfidoja, e lodroja
Megjithëse kisha pranë meje
Adhurues që natën e bënin ditë
Asnjëherë nuk arrita
Ta kuptoj ku i gjenin fuqitë
Vetës asnjëherë
Nuk i kam vënë fre
E viktimë e saj kam rënë
Sot jam bërë pre
Edhe kur ndonjëherë
Kuranin lexoja
Ajetet që malet
Dot nuk i mbanin
Por unë fakiri nuk i kuptoja.
Zemër moj
Çfarë stralli je?
Të flet Krijuesi
E ti nuk e ndjen?
Shokët e mi
Tash më kanë kaluar
Allahun e kanë njohur
Sot shumë lart
Kanë fluturuar.
O Zoti im !
Mëshirën Tënde
Derdh mbi mua !
Unë fakiri
Në derë të kam ardhur
Flokët shkapërderdhur
Këmbët zbathur
Zemër vrarë
Nga kjo botë i lodhur
Merrmë!
Mos më lër
Të harruar!
Unë jam i mashtruari
Me dhuntitë që më dhe.
Ti je Madhështori
Sa Falës që je!
Kështu jemi ne
Fakiri dhe beu
I keqi dhe i miri
Të krijuar nga dheu.
O Zot, sikur Ti
Mos më mëshirosh,
Të më drejtosh
Të më ndihmosh
I humbur jam fakiri
S`më bën dobi
As argjendi
As floriri.
Muskujt e fortë
Krimbat do të ushqejnë
Tokën do të plehëroj
Po shpirti i shkretë ku do më ndalojë?
Ah sikur o Zot
Drejt Teje të më ngjitet
Mos atje poshte
Prejt Teje mos më braktiset.
Kjo botë mashtruese
S`është faji i saj
Më është nënshtruar
Inat pse ti mbaj?
Zjarri, liqenj të dallgëzuar
Nga këtu ku jemi
Na ngjan
Me bukuri praruar
Parajsa, lulishta e kënaqësisë
Kur jemi këtu
Vështirë e larg na duket
O vetja ime
Mbi të është Zoti i gjithësisë.
Rrugën e mora
Malet e vetes i kaplova
U rrëzova !
Por prapë po ngrihem
Zot ti më jep fuqi
E unë rrugën
Përsëri vazhdova.
E di se do të arrij
Zoti im nuk kam dyshim
I dobët jam
Por Ty të kam në ndihmë
O Krijues!
O Mëshirues!
O Mëkatfalës!
O Ndihmues!
O Zoti im !
Nëse në hak kam hyrë
Ti borxhin ma shkarko
Mua fakirin mos më harro.
Zoti im !
Derë tjetër
Veç Mëshirës Tënde
Nuk kam!
Frikësohem, dridhohem
Gjynahet pas më ndjekin.
Hapma derën!
Ato do më djegin.
Nuk kam asgjë
Për të të ofruar
Veç lotët e nxehtë
Të zemrës së frikësuar.
Ti je afër Meje
Ti më ke kuptuar
Askush se ka bërë
Askush nuk mundej
Nga pesha që kam marrë
Për të më shpetuar.